Në periudhën nga viti 2008 deri në viti 2016 në Maqedoni kanë ndodhur gjithsej 70 vrasje të grave. Duke pasur parasysh këtë që institucionet nuk njohin të dhëna për femicidin, sepse nuk është definuar si vepër të veçantë penale dhe nuk është inkorporuar në Kodin penal, janë identifikuar 54 viktima, ndërsa në 51 raste ka bazë për femicid. Qasje deri te lëndët gjyqësore është marrë për 34 nga këto raste, me ç’rast është vërtetuar se 28 prej tyre kanë qenë femicidë apo vrasje e gruas për shkak se është grua.
Këto janë konkluzionet e Analizës së rasteve të femicideve – vrasje e grave në Republikën e Maqedonisë e përpunuar nga Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare, me mbështetje teknike dhe financiare nga UNDP-ja, e cila është prezantuar sot nga drejtoresha e rrjetit Elena Dimushevska.
Në prezantim ishin të pranishme ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska dhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, si dhe koordinatori rezident i KB-së dhe përfaqësuesja e UNDP-së, Luiza Vinton.
Drejtoresha e rrjetit Elena Dimushevska theksoi se më shumë se 80 për qind e viktimave në vend janë vrarë nga ana e partnerëve intimë, pa dallim nëse është aktual apo i mëparshëm, nëse jetojnë në bashkësi martesore apo jomartesore ose kanë qenë vetëm në lidhje, e nuk kanë pasur vendbanim të përbashkët.
Pjesa tjetër, shtoi ajo janë vrarë nga anëtarë tjerë të afërt të familjes, si vëllezër dhe baballarë, kuptohet anëtarë meshkuj të familjes.
Carovska përmendi se në Maqedoni tashmë është ratifikuar Konventa e Stambollit dhe është përpiluar plan operativ për implementimin e saj, me hapa konkretë dhe masa për çdo institucion.
“Kjo nuk është çështje vetëm e një institucioni, kjo është çështje e të gjitha institucioneve dhe për të gjithë qytetarët. Nevojitet bashkëpunim dhe komunikim i përbashkët që të parandalohet ky fenomen”, tha Carovska dhe shtoi se është e rëndësishme që të gjithë kompetentët në periudhën e ardhshme të punojnë në ndryshimin e Kodit Penal dhe përkufizimin e femicidit si vepër të veçantë penale.
Ajo shtoi se në këtë drejtim nevojitet edhe një ligj i veçantë për dhunë gjinore.
Uinton theksoi se me këtë analizë tregohet se pothuajse çdo femicid mundet që të parandalohet nga institucionet përkatëse.
Ajo i bëri thirrje mediave që të mos i romantizojnë apo sentimentalizojnë këto raste, por të tregojnë atë që kanë ndodhur si reflektim i pabarazisë gjinore dhe dhunës ndaj grave në vend.
“Dhuna familjare, veçanërisht nga aspekti i dhunës së motivuar nga urrejtja gjinore, si problem është shumë më tepër se numra statistikorë. Detyra jonë është që të ndërtojmë një shoqëri e cila do t’i mbrojë gratë si shtyllë e familjes”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në promovimin e sotëm.
Ai theksoi se nevojitet që femicidi të definohet si vepër penale, duke theksuar se femicidi fillon nga premisa për krim ndaj grave vetëm se ato janë gra.
Ministri Spasovski shtoi se për ndryshimet ligjore është e angazhuar Ministria e Drejtësisë dhe shtoi se pritet që në periudhën e ardhshme të parashtrohen në Kuvend.