Vite të shumta varrezat e myslimanëve në Tetovë ishin lënë pasdore si nga institucionet po ashtu edhe nga Myftinia e Tetovës që kujdesej për këto varreza me sa kishte mundësi. Më në fund pamja e këtyre varrezave ndryshoi falë investimit të filantropit tetovar, Lazim Destani. Ai porositi të gjithë të punojnë pa u kursyer për qytetin e tyre.
“Qyteti ka nevojë për shumë investime, shumë punë. Duhet të mos flasim shumë, mos të premtojmë shumë dhe pastaj mos të realizohen gjërat, ajo është më e keqja, por atë çka e flasim të mendojmë mirë dhe të sigurojmë fondacion dhe ta bëjmë Tetovën si një qytet që e duam të gjithë”, tha filantropi, Lazim Destani, njofton TVM2.
Myftinia dhe komuna e Tetovës shprehen se bashkëpunimi mes institucioneve dhe investuesve sjell gjithnjë fryt në dobi të të gjithë qytetarëve.
“Fjalët janë shumë të pakta nga ajo që mund të shohim në punët dhe investimet që janë bërë tek varrezat tona të qytetit tonë. Mu për këtë unë dua të falënderoj z.Lazim Destani, i cili ka shprehur dëshirë të investojë në këto varreza, që nuk është thjeshtë një investim”, theksoi myftiu në Myftininë e Tetovës, Qani Nesimi.
“Dëshiroj të falënderoj Myftininë dhe autoritetet tjera këtu pikërisht për të gjitha idetë pozitive dhe bashkëpunimin e posaçëm që kemi si institucione, dhe në emirin e komunës, falënderoj z.Lazim Destani dhe kompaninë e tij për sa i përket realizimit të këtij projekti”, tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Ndryshe, përpos rrethimit të varrezave, është investuar edhe në rregullimin e trotuareve përreth varrezave dhe ndriçimin e rrugës. (MIA)