SHBA-ja e mbështet fuqimisht Marrëveshjen historike të Prespës që do t’ia hapë rrugën Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe BE, do ta përforcojë sigurinë në të gjithë rajonin dhe do të mundësojë prosperitet ekonomik. Prandaj është shumë e rëndësishme në këtë moment kritik për të ardhmen e shtetit, qytetarët të dalin dhe të votojnë në referendumin më 30 shtator, tha nënpresidenti amerikan, Majk Pens në takimin e mbrëmshëm në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev.
“Nënpresidenti Majk Pens e përgëzoi kryeministrin Zoran Zaev për marrëveshjen historike të Prespës me Greqinë për zgjidhjen e çështjes shumëvjeçare të emrit midis dy vendeve dhe e falënderoi për udhëheqjen e tij në sigurimin e marrëveshjes. Nënpresidenti shprehu mbështetje të fuqishme për marrëveshjen e Prespës, e cila, pasi të zbatohet, do të çojë në siguri dhe prosperitet më të madh për të gjithë rajonin. Nënpresidenti dhe kryeministri i diskutuan hapat e ardhshëm në zbatimin e marrëveshjes, përfshirë edhe referendumin e ardhshëm të 30 shtatorit dhe rëndësinë të gjithë qytetarët të votojnë në këtë moment kritik për të ardhmen e vendit. Nënpresidenti shprehu mbështetje të fuqishme për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE”, shkruan në kumtesën nga kabineti i Pens.
Nënpresidenti i SHBA-së menjëherë pas takimit me Zaevin në “Tuiter” shkroi se Uashingtoni i jep mbështetje të fuqishme, siç thekson, Marrëveshjes historike me Greqinë.
“Me zbatimin e kësaj marrëveshje do të ketë siguri më të madhe në rajon”, thekson Pens.
Kryeministri Zaev në profilin e tij në Fejsbuk, thotë se Pens i ka përshëndetur përgjegjësinë dhe vendosmërinë gjatë arritjes së Marrëveshjes.
“Mundësia që të bisedojmë me nënpresidentin e SHBA-së Majk Pens vjen në një moment historik kyç për Republikën e Maqedonisë. Nga nënpresidenti Pens morëm porosi inkurajuese për përgjegjësinë dhe vendosmërinë gjatë arritjes së Marrëveshjes së Prespës. Në takim ishte theksuar se me Marrëveshjen e kemi siguruar vendin e merituar në strukturat euroatlantike. Me këtë e sigurojmë paqen, stabilitetin dhe prosperitetin për qytetarët tanë”, thekson Zaev.
Shërbimi qeveritar për informim i RM-së mbrëmë kumtoi se Pens në takimin me Zaevin transmetoi porosi edhe nga presidenti i SHBA-së Tramp për mbështetjen e Uashingtonit për guximin e treguar dhe lidershipin e zbatimit të reformave të nevojshme në vend për Marrëveshjen e arritur me Greqinë që e hapën rrugën për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në NATO dhe BE.
Nënpresidenti Pens theksoi se Shtëpia e Bardhë e inkurajon dhe ndan vizionin Republika e Maqedonisë të jetë pjesë e demokracisë, vend anëtare prosperuese e NATO-s dhe BE-së.
(MIA)