Gjykatësja raportuese në Gjykatën Kushtetuese, Elena Gosheva propozon të niset procedurë për vendimin për shpalljen e referendumit dhe të shqiptohet masë e përkohshme dhe të ndërpriten të gjitha aktivitetet për një periudhë të caktuar.
Sipas saj, vendimi i përmban disa mangësi ligjore. Çështja e referendumit, siç tha, është manipuluese, lloji i referendumit nuk është i qartë, ndërsa nuk është përmendur edhe emri i plotë i marrëveshjes së Prespës.
Qëndrim tjetër ka gjykatësi, Darko Kostadinovski, i cili vlerëson se nuk duhet të niset procedurë për vendimin për shpalljen e referendumit, ndërsa qëndrim të njëjtë kanë edhe gjykatësit Osman Kadriu dhe Naser Ajdari.
Gjykatësi Kostadinovski tha se ka mangësi ligjore, por se ato nuk janë thelbësore dhe nuk janë arsye për ngritjen e procedurës.
Për gjykatësin Osman Kadriu, vendimi për shpalljen e referendumit është kushtetues dhe është në rregull ky referendum të ketë karakter konsultativ. Pyetja e referendumit, sipas tij, nuk është konfuze siç thonë parashtruesit e nismës.
Gjykata Kushtetuese sot duhet të prononcohet edhe për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Vendimit për shpalljen e referendumit, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë më 30 korrik të vitit 2018. Parashtruese të nismave janë E Majta dhe Kongresi Botëror Maqedonas. (MIA)