Po intensifikohet fushata për referendumin e 30 shtatorit. Koalicioni “Dil për Maqedoni evropiane” sot ka takime me qytetarët në Makedonska Kamenicë dhe në Dellçevë. Kuvendi, si propozues i autorizuar, po ashtu, e filloi fushatën me disa shkrime në disa media. Dje paralajmërim se fillojnë fushatë ka pasur edhe nga PDSH-ja, BESA dhe Aleanca për shqiptarët.
Edhe pse 10 shtatori u potencua si datë kur VMRO-DPMNE-ja opozitare do ta kumtojë qëndrimin lidhur me referendumin, kjo nuk ndodhi. Nga partia potencuan se do të ketë mbledhje të Komitetit ekzekutiv dhe se po bisedohet për çështjen për referendumin, por jo vetëm për të, dhe që si të ndërtohet, qëndrimi do të kumtohet.
Lideri i partisë Hristian Mickovski në fillim të gushtit në një intervistë televizive tha se deri më 10 shtator do ta kumtojë qëndrimin partiak për referendumin më 30 shtator.
“Nuk është e saktë se VMRO-DPMNE-ja nuk ka qëndrim për këtë çështje. Në të kaluarën shumë herë e ka kumtuar dhe përsëritur qëndrimin e vet lidhur me parimin për ndryshim të kushtetutës, me qëllim të ndryshimit të emrit kushtetues”, tha atëherë Mickovski.
Në kuadër të Koalicionit, por edhe përmes aktiviteteve të partisë dhe deputetëve, edhe BDI-ja dhe LSDM-ja për çdo ditë kanë aktivitete të cilat i shfrytëzojnë që t’ua elaborojnë qëndrimet e tyre qytetarëve se pse duhet të votojnë “për” në referendum.
Me fushatë filluan edhe partitë opozitare shqiptare, PDSH-ja, BESA dhe Aleanca për shqiptarët.
Me moton “Hap para PËR NATO dhe BE”, PDSH-ja dje në Çair e ka filluar fushatën për referendum nga Çarshia e Vjetër e SHkupit.
Të premten, siç thuhet në kumtesën partiake, PDSH-ja ka zgjedhur shtabe zgjedhore në Likovë, Kumanovë, Haraçinë, Butel, Çair, Shuto Orizarë, Veles, Çashkë, Kisella Vodë, Sopishtë, Saraj, Zhelinë, Tearcë, Tetovë, Bërvenicë, Bogovinjë, Negotinë-Vrapçishtë, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Strugë, Ohër, Resnjë, Dollnen, Krushevë dhe Manastir.
Kryetari i Aleancës për shqiptarët Ziadin Sela i bëri thirrje anëtarësisë të votojë “për” BE dhe NATO në referendumin e ardhshëm.
“Më 30 shtator shqiptarët nuk do të lejojnë sërish të vendoset muri që do t’i ndajë shqiptarët që jetojnë në Ballkan, në dy anë të ndryshme, siç ka qenë në periudhën prej mbi 50 viteve gjatë komunizmit”, potencoi Sela.
Aleanca për shqiptarët në periudhën e ardhshme do të mbajë debate me qytetarët me qëllim që ta shprehin mendimin. Fushatën do ta realizojnë me moton “për NATO dhe për BE”, ndërsa janë formuar 27 shtabe lokale dhe komunale.
Edhe “Besa” e Bilal Kasamit dje në konferencë shtypi paralajmëroi se do ta mbështesë referendumin e ardhshëm dhe se do ta motivojë popullatën shqiptare që sa më masovikisht të dalë më 30 shtator dhe të votojë “pro”.
“Pasi referendumi dhe ndryshimet kushtetuese janë pjesë e po këtij procesi, por në dy faza të ndryshme, ne në këtë fazë duke ofruar argumentet e duhura, do ta motivojmë popullatën shqiptare që masovikisht të del më 30 shtator dhe të votojnë PËR në ditën e votimit, ndërsa një nga premtimet tona është se në fazën e dytë, atë të hapjes së ndryshimeve kushtetuese do angazhohemi që konform përcaktimeve tona programore dhe pritjeve të popullatës shqiptare të kërkojmë saktësimin e termit kushtetues prej ’20 për qind’, duke u zëvendësuar me ‘shqiptar’ dhe ‘gjuhë shqipe’”, deklaroi Arianit Hoxha nga “Besa”
Sllogani me të cilën do të paraqitet “Besa” në këtë fushatë është “PO për NATO dhe BE, si shqiptarë, e jo si përqindje”. Fushata është e konceptuar me aktivitete gjatë gjithë këtyre 20 ditëve duke u takuar me qytetarët dhe duke patur paraqitje publike për dobitë dhe përparësitë e kyçjes së vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Në të njëjtën kohë po zhvillohet edhe fushata e karvanit kundër referdnumit, i cili prej qytetit në qytet u bën thirrje qytetarëve që ta bojkotojnë referednumin më 30 shtator. (MIA)