Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë gjatë këtij muaji dhe muajit të ardhshëm do të publikojë të dhëna nga statistika monetare, statistika e institucioneve të tjera financiare dhe statistika e shkallëve të interesit, sipas metodologjisë së re.
Ndryshimet metodologjike, siç informojnë nga Banka, janë bërë për shkak të harmonizimit me rekomandimet e Doracakut të sapopublikuar dhe udhëzimeve për statistikën monetare dhe financiare të Fondit Monetar Ndërkombëtar nga viti 2016 (MFSMCG – IMF 2016) dhe Misioni Teknik i FMN-së nga fusha e statistikës monetare dhe financiare në BPRM nga viti 2015 dhe kontribuojnë për sigurimin e të dhënave statistikore cilësore dhe konsistente të harmonizuara me standardet më të larta ndërkombëtare dhe statistikore evropiane.
“Të dhënat për statistikat e veçanta do të publikohen në pajtim me Kalendarin e konfirmuar të shpalljes, ndërsa njëkohësisht për shkak të sigurimit të konsistencës, do të publikohen dhe revidohen të dhënat serike kohore”, thonë nga BPRM.
Në fushën e statistikës monetare, potencojnë, më 20 korrik, me shpalljen e të dhënave për qershorin e vitit 2018, do të publikohet edhe seria e reviduar e të dhënave për periudhën e muajit janar të vitit 2009 deri në muajin maj të vitit 2018. Te statistikat e shkallëve të interesit më 31 korrik, me shpalljen e të dhënave për qershorin e vitit 2018, do të publikohet edhe seria e reviduar e të dhënave për periudhën e vitit 2005 deri në maj të vitit 2018. Në pjesën e statistikës së institucioneve tjera financiare më 31 gusht, me shpalljen e të dhënave për kuartalin e dytë të vitit 2018, do të shpallet edhe revizioni i të dhënave për kuartalin e parë të vitit 2018, ndërsa te bilancet dhe kontrollet e institucioneve financiare më 31 gusht, me shpalljen e të dhënave për kuartalin e dytë të vitit 2018, do të shpallen dhe revidohen të dhënat për institucionet depozitare për periudhën e kuartalit të parë të vitit 2012 deri në kuartalin e parë të vitit 2018 dhe për institucionet tjera financiare për kuartalin e parë të vitit 2018.
“BPRM, përveç të dhënave, do të publikojë edhe informata për ndryshimet metodologjike kyçe, si dhe sqarime të reja metodologjike”, sqarojnë nga Banka Popullore.
(MIA)