Qyteti i Shkupit ende nuk ka bërë dezinfektimin e parë kundër mushkonjave. Reshjet e shiut dhe rritja e temperaturave kanë krijuar kushte për përshpejtimin e shumimit të insekteve dhe mushkonjave në Shkup. Qytetarët, si nëpër rrjete sociale ashtu edhe në biseda të përditshme, temë kryesore kanë problemin me mushkonjat.
“Mushkonjat nuk na lënë të hapin dritare gjatë mbrëmjeve të nxehta, pasi nuk mund të flemë nga kafshimi i tyre”, thotë Sh.B banor i Shkupit.
“Nuk e di çfarë po ndodh këtë vit, mirëpo me të vërtetë do të na hanë mushkonjat, nuk mund të dalim në ballkon as të bëjmë gjumë të qet”, thotë Sadete K, studente.
Spërkatja e parë kundër mushkonjave në territorin e qytetit këtë vit do të ndodh me vonesë për shkak të procedurave të tenderit, thotë për gazetën KOHA, Valon Salihu, zëdhënës në Qytetin e Shkupit.
“Stërpikja do të ndodh këtë muaj, tani sa mbaroi tenderi. Pas mbarimit të tenderit zakonisht priten ankesa, nuk mund ta parashikojmë datën e saktë kur do të ndodh, por me siguri brenda muajit do të spërkatet”, tha Salihu.
Ndryshe, vitin e kaluar spërkatja e parë kundër mushkonjave ndodhi më qershor. Gjatë verë në Shkup realizohet disa herë aksion për spërkatje, si nga toka ashtu edhe nga ajri. Nëpër qytetet tjera të Maqedonisë sidomos në atë jugore, veç më është realizuar spërkatja me helikopter.
Burimi: Koha.mk