Në organizim të Shoqatës së Maqedonisë për mbrojtje gjatë punës dhe Fakultetit makinerik Shkup, sot do të mbahet punëtori e parë në shtet për ergonominë dhe rolin e saj në sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.
“Ergonomia nuk është vetëm vetëdije e përgjithshme, siç mendojnë shumica, por e kundërta, shfrytëzon njohuri dhe informata nga një numër i madh i shkencave dhe disiplinave shkencore si: antropologjia, biomekanika, psikomotorika, anatomia, dizejni etj. I shfrytëzon në drejtim të përmirësimit ose optimizimit të kushteve të punës, rritjen e kënaqësisë së punëtorëve, zvogëlimin e sëmundjeve profesionale dhe lëndimeve muskuloskeletore, zvogëlimin e rreziqeve nga mjedisi i punës, e tërë në drejtim të krijimit të vendeve të punës të shëndosha dhe të sigurta”, sqarojnë organizatorët.
Siç njoftojnë, pjesëmarrësit e punëtorisë do të përfitojnë njohuri praktike dhe informata, të cilat do të mund të zbatohen në kompanitë e tyre dhe do të jenë kompetentë të japin vlerësim nëse vendet e punës janë ose nuk janë ergonomikisht të organizuara. Do të trajnohen se si të bëjnë përmirësime ergonomike dhe të japin rekomandime konkrete për përparimin dhe përshtatjen e vendeve të punës, duke e shfrytëzuar qasjen individuale për çdo punëtor. Do të njoftohen me stërvitjet fizike, të cilat duhet çdo ditë t’i kryejnë dhe do të fitojnë njohuri për qasjen ergonomike, e cila duhet pa rezerva të zbatohet në të gjitha organizatat, në të gjitha vendet e punës.
(MIA)