Në Ohër sonte fillon takimi i parë parlamentar në suaza të procesit Zhan Mone të inicuar nga tre eurodeputetët Ivo Vajgëll, Eduard Kukan dhe Knut Flekenshtajn.
Deputetët popullor të Maqedonisë, të përzgjedhur nga të gjitha grupet e deputetëve, të udhëhequr nga kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe tre nënkryetarët do të bisedojnë kryesisht për çështjet e lidhura me Rregulloren për punën e Parlamentit, Kodeksin etik dhe pavarësinë buxhetore. Por, deputetët të cilët do të marrin pjesë në mbledhjen dyditëshe në Ohër thonë se nuk është përjashtuar mundësia atje të hapen edhe çështje të tjera.
Zyrtarisht mbledhja do të fillojë sonte me fjalimin e tre eurodeputetëve. Edhe pse është paralajmëruar mundësi, eurokomisari për Zgjerim dhe Politikë të mirë fqinjësore Johanes Han, nuk do të udhëtojë në Ohër por do të ketë video-fjalim. Bisedat janë në rrjedhë të ditës së nesërme, ndërsa duhet të përfundojnë me darkë në të cilën janë të ftuar edhe liderët e partive politike parlamentare, kryeministri dhe njeriu i parë i LSDM-së, Zoran Zaev, kryetarët e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski, i BDI-së Ali Ahmeti, PDSH-së Menduh Thaçi, Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela dhe nga Besa Bilall Kasami. Përderisa mbahet mund të jetë takimi i parë i liderëve të këtyre partive, pas bisedave të sotme të Zaevit me kryeministrin grek Aleksis Cipras në Samitin në Sofje.
Takimi në suaza të procesit Zhan Mone mund të konsiderohet si pjesë e reformave të vendit duke i marrë parasysh se çështjet për konstituim të Parlamentit dhe pyetjet e deputetëve janë pjesë e planit 3-6-9, ndërsa këto biseda duhet të kontribuojnë edhe për përmirësimin e dialogut politik.
Takimit në Ohër i paraprin harmonizimet e qëndrimeve të grupeve të deputetëve, veçanërisht për Rregulloren e punës së Parlamentit dhe Kodeksin etik. Nga grupet parlamentare për MIA-n informojnë se ka një numër të madh të çështjeve të harmonizuara, por që ka edhe të tillë për të cilat shumica qeveritare dhe opozita nuk kanë arritur marrëveshje.
Atë që e kërkojnë partitë qeveritare të udhëhequra nga LSDM, ndërsa nuk është e pranueshme për VMRO-DPMNE-në, është kufizimi i debatit për çdo ligj në tre ditë, si dhe të definohen format e grupeve parlamentare.
Nga ana tjetër opozita dhe VMRO-DPMNE-ja kërkojnë buxhet të pavarur kuvendor përkatësisht Ministria e Financave të mos vendosë për buxhetin e Kuvendit, si dhe status i pavarur i veçantë i administratës kuvendore, për ligjet sipas procedurës së shkurtuar të votohet me shumicë prej dy të tretave, të ekzistojë mundësi për konfirmimin e përgjegjësisë për shkelje të Rregullores nga ana e kryesuesit me plenumin ose trupin e punës dhe kufizimin e numrit të nënkryetarëve dhe zëvendësve të sekretarit të përgjithshëm.
Kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi të hënën në deklaratë për MIA-n tha se në takimin në Ohër pret pozita dhe opozita të arrijnë harmonizim përfundimtar për çështjet e lidhura me ndryshimet e Rregullores. E rëndësishme është, thotë ai, ajo që është treguar si kontestuese të harmonizohet. Xhaferi konsideron se gjithashtu nevojitet harmonizim në raport të çështjes për hapjen e tërësishme të Rregullores në ndonjë periudhë të ardhshme. Takimi në Ohër sipas tij, duhet të jetë edhe një kontribut ndaj, kushtimisht, kthimit të kulturës politike në Parlament.
Në raport të pavarësisë financiare të Parlamentit, ajo është çështje që është hapur në Uilton park dhe se për këtë nevojitet periudhë më e gjatë kohore dhe debate.
(MIA)