Pas marrjes së rekomandimit të pastër nga KE-ja për hapjen e negociatave inkuadruese me rëndësi është vazhdimi dhe thellimi i reformave në rrugën drejt BE-së. Pushteti dhe opozita e ndajnë përgjegjësinë për të ardhmen e vendit, porositi dje gjatë fjalimit të saj para Parlamentit të Maqedonisë përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini.
“Ju e ndani obligimin për të ardhmen e qytetarëve tuaj. Qeveria ka përgjegjësi t’i ndajë hapësirë opozitës për përfshirjen e plotë, ndërsa opozita ka përgjegjësi të kyçet në tërë këtë punë. Keni përgjegjësi t’i identifikoni interesat nacionale dhe prioritetet e vendit tuaj, keni përgjegjësi kolektive të bashkëpunoni me institucionet në mënyrë që të arrini rezultate në prioritetet nacionale”, i porositi Mogerini deputetët e Maqedonisë.
Shtoi se Maqedonia është kthyer në rrugën drejt bashkimit Evropian dhe ai është vendi ku Maqedonia duhet të ndodhet.
“Kur do të kujtohem se çka ka ndodhur këtu, në Kuvend, para një viti, dhe çka po ndodhë tani, mund të them se kaluat një rrugë të gjatë. Është pozitive që u kthyet në rrugë, e kaluat krizën më të keqe politike dhe institucionale, me të cilën ndonjëherë jeni përballur. Rekomandimi është arritje e madhe për të gjithë në vend dhe ai para së gjithash është arritje falë vendosshmërisë së secilit qytetar të këtij vendi”, tha Mogerini.
Theksoi se ky është vetëm hapi i parë në një rrugë të gjatë ku do të nevojiten më shumë unitet, më shumë angazhime dhe më shumë punë, por edhe do të njihet dhe prezantohet baza për përparim.
“Atë që e keni bërë brenda vitit është me të vërtetë impresionuese, që arritët ta realizoni së bashku, veçanërisht për reformat. Edhe pritjet janë të larta se ky akt i bashkimit të forcave të disa prioriteteve kombëtare mund të vazhdojë edhe më tej në të ardhmen. Ky është sinjali më i fuqishëm i pjekurisë në një sistem demokratik”, tha Mogerini.
I lavdëroi reformat e deritanishme, miratimin e ligjeve në sferat e rëndësishme, por përsëriti se tani nevojitet që vendi të fokusohet në implementimin e tyre. Punën që na pret Mogerini në mënyrë metaforike e krahasoi me video-lojë ku kalohen nivele me detyra të reja, ndërsa qëllimi dhe shpërblimi i vërtetë në këtë lojë e cila është, thotë, gjithçka përveç lojë është përmirësimi jetës së qytetarëve.
“Kjo është esenca. E di se procesi i integrimit në BE është i përmbushur me shumë procedura dhe kushte të cilat duhet të plotësohen, por në fund reflekton në transformimin e shoqërisë dhe standardeve të cilat qytetarët tuaj dëshirojnë t’i shohin se si plotësohen në përditshmërinë e tyre. Bëhet fjalë për vlera evropiane, zhvillim të mirë të ekonomisë, tregtisë, mënyrës në të cilën punojnë institucionet, qeverisja e së drejtës, cilësia e jetës… Nga siguria deri tek mundësitë për të rinjtë. Kjo është ajo që është e rëndësishme për të gjithë qytetarët”, tha përfaqësuesja e lartë e BE-së.
Niveli i ardhshëm i video lojës, shtoi ajo, është ruajtja dhe vazhdimi i reformave të cilat zhvillohen në mënyrë të shkëlqyer, por procesi duhet të vazhdojë jo vetëm përmes sjelljes së ligjeve por, thotë edhe me plotësimin e tyre. Duke shprehur bindjen se kjo punë do të vazhdojë të sjellë rezultate, ajo tregoi edhe për hapat e ardhshëm duke theksuar për Këshillin e BE-së në qershor ku do të sillen vendime.
Vlerësoi se është bërë hap historik përpara me marrëveshjen me Bullgarinë me të cilën është zgjidhur një prej çështjeve bilaterale dhe shprehu bindjen se edhe negociatat me Greqinë do të çojnë drejt zgjidhjes së kontestit për emrin, që do t’i kënaq të dyja palët dhe do të jetë bazë për bashkimin e ardhshëm në kontinentin evropian.
“Gjithmonë i shmangem asaj të flas për zgjerim, dua të flas për ribashkim. Kemi potencial të jemi të shpejtë në procedura të jemi të suksesshëm. E di se edhe ju besoni në atë të lëvizim shpejtë drejtë anëtarësimit në BE. Investoni në unitetin tuaj, në institucionet e juaja demokratike në talentin e qytetarëve veçanërisht tek personat më të rinj dhe aspiratat dhe dëshirat e tyre të bashkohen në BE. Ky është përfitim për ju por edhe për ne. E njëjta do të njihet nga Brukseli dhe BE-ja. Është koha të fillojmë të vrapojmë së bashku, të vraponi me njëri-tjetrin me fqinjët tuaj dhe jam e bindur se kështu do të arrini larg”, porositi përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Mogerini.
Mogerini në suaza të vizitës së saj zyrtare në Maqedoni, shka i së cilës ishte Raporti i KE-së për përparimin e vendit dhe rekomandimi i dhënë i pastër për fillim të negociatave për anëtarësim në Union, pati takime edhe me presidentin e vendit, Gjorge Ivanov dhe me kryeministrin Zoran Zaev.
Në deklaratat në konferencën e përbashkët për shtyp në Qeveri, Mogerini dhe zaev shfaqën bindje se kontesti për emrin që është një nga parakushtet për fillim të negociatave me Brukselin, mund të zgjidhet deri në Samitin e BE-së.
“Kemi dy muaj e gjysmë deri në atë Samit dhe koha duhet të shfrytëzohet pozitivisht dhe me guxim siç e bëmë atë në 10 muajt e fundit. Ndërmorët hapa të cilët para 10 muajve ishin të paimagjinueshëm. Prandaj jam optimiste. Koha ekziston, mund të shfrytëzohet siç ishte shfrytëzuar nga ana juaj dhe nga ana e Greqisë në këto muaj dhe javë të negociatave dhje bisedimeve dhe shpresoj që rezultati është i mundur. Nuk mund të hyj në përmbajtjen e kësaj çështje sepse ajo është bilaterale, por mendoj se Këshilli i Evropës definitivisht mund të sjellë vendim pozitiv. Në të kundërtën, ne nuk do të kishim dhënë rekomandim nëse konsiderojmë se nuk është ashtu”, tha Mogerini.
Kryeminsitri Zaev nga ana e tij theksoi se është i bindur se Maqedonia do të marrë datë për fillim të negociatave inkuadruese.
“Unë jam i bindur se do të marrim datë për negociata sepse deri më tani kemi arritur me Greqinë me të vërtetë dhe kjo e garanton këtë. Do të jemi të gjithë të lumtur nëse gjejmë zgjidhje, ndërkaq besoj se kjo është e mundur”, tha Zaev.
Optimizmi i shprehur nga Mogerini dhe Zaev se mund të gjendet zgjidhje për emrin, dje u gjend në fokus të mediumeve greke në raportimet për takimin e djeshëm të kryeministrit të Maqedonisë me përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini dhe komisarin për zgjerim, Johanes Han.
Burimi: MIA