Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka konfirmuar se Interpoli i ka hequr nga fletarrestet e kuqe komandantët e UÇK-së të cilët Serbia i akuzon për krime lufte. MPB-ja serbe ka njoftuar se lidhur me këtë ka parashtruar ankesë në Komitetin Ekzekutiv të Interpolit, transmeton Gazeta Express.
“Në koordinim me institucionet tjera, menjëherë pas njoftimit se nga sistemi i Interpolit janë fshirë më shumë fletarreste për krime lufte, kemi parashtruar ankesë për shkak të këtij akti”, kanë thënë nga MUP-i për gazetën “Novosti”.
“Kjo është precedent në punën e kësaj organizate. Presim që Komiteti Ekzekutiv në mbledhjen e parë të ardhshme, brenda pak ditëve, ta pranojë ankesën tonë dhe që vendimi i disa individëve nga shërbimi juridik i Interpolit urgjentisht të ndryshohet, ashtu që të gjitha fletarrestet e fshira do të kthehen në sistemin e Interpolit”, thonë nga MUP-i.
Sipas gazetës beogradase, ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë hequr nga feltarrestet e kuqe duke anashkaluar komisionet kompetente të organizatës.
Ministri i Brendshëm i Kosovës Flamur Sefaj të martën njoftoi se ka marrë konfirmim nga Interpoli se kjo organizatë i ka pezulluar fletarrestet për ish-anëtarët e UÇK-së, të cilët Serbia i akuzon për krime lufte.
“Vendkalimet ndërkombëtare kufitare në të ardhshmen edhe zyrtarisht do të jenë të hapura për Ramush Haradinajn, por edhe për bashkëluftëtarët e tij të afërt nga ditët terroriste – Hashim Thaçin, Azem Sylën, Shujkri Bujën, Lirim Jakupin…”, shkruan “Novosti”, transmeton Gazeta Express.
Burimi: GazetaExpress
Përmbajtjet që i merr Civili nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.