“Këto zgjedhje do të jenë komplekse, për arsye se ne në Maqedoni kemi krizë serioze. Krizën politike e ndërlidh me krizën morale dhe ligjore. Kriza ligjore tregon për probleme serioze ligjore, për të cilat ende nuk ka zgjidhje, e që kanë të bëjnë me veprat më të rënda penale që ndodhin në vendin tonë. Ky është korrupsioni ose termi që përdoret për këtë dukuri “korrupsion moral”. Në këtë korrupsion janë të kyçur funksionarët e pushtetit”, tha profesori, d-r Osman Kadriu, në konferencën e sotme “ Zgjedhje të lira për shoqëri të lirë, që u mbajt në Klubin e gazetarëve në Shkup, në organizim të CIVIL- Qendrës për Liri.
“Kriza ligjore krijohet sepse për ata funksionarë në pushtet, kryes të korrupsionit, nuk ka dorëheqje dhe nuk ka zgjidhje për veprat penale të kryera. Kjo çon në përfundim, se te ne, drejtësia dhe morali janë në krizë. Vendin e drejtësisë e ka zënë padrejtësia, e cila sillet sikur është drejtësi, ndërsa në fakt është kundër- drejtësi. Gjatë një gjendjeje të këtillë, kjo dukuri do të na reflektohet edhe në zgjedhjet”, tha Kadriu.
“Kërkoj të respektohet ligji. Duhet ta ndjekim sjelljen e KSHZ dhe të gjitha organeve që i zbatojnë zgjedhjet, syhapur dhe me vrull, dhe me rol të rëndësishëm dhe nën kompetenca të sektorit qytetar dhe të mediave, dhe të gjitha organet që i zbatojnë zgjedhjet. Si tu mundësojmë qytetarëve që vullneti dhe vota e tyre të mos keqpërdoren, si të kemi zgjedhje ligjore? Ligjshmëria është komponentë e rëndësishme që të mund të flasim për drejtësinë, sistemin ligjor në vend. Kjo kërkon që të gjitha veprimet dhe vendimet të jenë të vërejtura. Të sigurohet nga shteti dhe organet e tij, ligjshmëri në procedurë dhe të sigurohet përgjegjësi ligjore, nëse vërtetohet drejtësia në procedurën zgjedhore”, theksoi profesor d-r Osman Kadriu.
“Në të gjitha zgjedhjet, deri tani, janë shënuar anomali serioze, të veprimeve konkrete penale, ndërsa institucionet dhe organet ishin të paralizuara, nuk kishte përgjegjësi. Mirëpo, sa njerëz janë gjykuar për shkeljen e të drejtave votuese? Edhe atje ku ka, gjyqi do të angazhohet të jep një gjykim me kusht. Për këtë arsye do të them se drejtësia dhe e padrejtësia janë në konflikt, sepse padrejtësia është në gjendjen në të cilën tenton të jetë drejtësi. Të respektohet e drejta e vendit, do të thotë të respektohet themeli kryesor i atij vendi. Nuk ka fat më të madh për një shtet, nëse në atë sundon drejtësia, në vend të padrejtësisë, kjo është fat për qytetarët e një shteti”, përfundoi Kadriu.
Monika Taleska
Foto: Biljana Jordanoska
Kamera: Atanas Petrovski dhe Dehran Muratov
Montazhi: Ermin Klimenta