shkruan: Sasho Ordanoski
[dropcap font=”arial” fontsize=”45″]K[/dropcap]am frikë se orvatja t’ia zëmë rrugën krimit dhe korrupsionit, do të na dështojë edhe me Qeverinë e re. Po e ndjek disponimin mbizotërues për ndryshimin e pushtetit edhe në nivel lokal, shumicës së qytetarëve u ka ardhur mbi kokë nga kuadrot e vjetra – të reja të Familjes së VMRO-së nëpër mjedise të ndryshme qyteti dhe fshati nëpër Maqedoni, mirëpo, njëkohësisht – edhe pse, pa qëllim të pretendoj se kam dijeni të hollësishme për gjendjet – shoh edhe se si i tërë “sektori” i krimit dhe korrupsionit lokal ( tenderxhinjtë, mafia e ndërtimtarisë, përfituesit e kafeneve, ekspertët për procedura burokrate, etj) përgatitet vetëm për t’i marrë prefektët e rinj dhe drejtoritë e reja komunale dhe menjëherë ti vendos në “makinerinë” e prokurimeve publike të rregulluara për rrugë dhe trotuare, për shenja ndërtimi të trilluara, për “nënkulme të fshehta”, për transportin e nxënësve, për ngrohjen e ndërtesave komunale ose për sofrat e gjata nëpër kafenetë lokale. Ndërsa disa nga kandidatët janë për mashalla: ende pa filluar fushata për prefektë dhe këshilltarë, janë ulur nëpër pijetoret e shtabeve ku përcaktohen përqindjet për kubikët dhe metrat në katror të “ rindërtimit” që do ta premtojnë në garën zgjedhore. “E po pra a duhet të ketë jetë për të gjithë?!” Tani e kemi ne radhën!”, më thotë një ndërtimtar, simpatizues i LSDM.
Mirëpo, problemi nuk qëndron vetëm në kuadrot partiake dhe politikanët. Mendoj se problem tejet më i madh është i opinionit të gjerë: në Maqedoni, shumica e qytetarëve mendojnë se korrupsioni është pjesë “normale” e sundimit, sidomos në nivel lokal. Vitin e kaluar një anketë e organizatës joqeveritare nga Prilepi, AGTIS, si dhe anketa e promovuar në ditën e djeshme në Telma/MCMS, në mënyrë të tërthortë, tregoi qartë se njerëzit sikur janë pajtuar me faktin se secila qeveri vjedh, madje një përqindje e konsiderueshme e popullatës do ti konsideronte prefektët edhe për të marrë nëse nuk etablohen si shefa të korrupsionit lokal – problemi i tyre është vetëm nëse (do të) vidhet pa masë dhe si, eventualisht, edhe ata ta fusin gishtin në atë kavanoz reçeli komunal. Së paku ndonjë kushëri, dhëndër motre, mbesë…
Me fjalë tjera, korrupsioni veç më është pjesë e mentalitetit, nga matrica ynë gjerësisht e përhapur kulturore- politike. Ndoshta ka ardhur koha që ta legalizojmë korrupsionin, të përcaktojmë tatim për atë, dhe mandej të lëmë që tregu ti rregullojë edhe ato marrëdhënie…E pastaj të bëjmë edhe një google -map të Shkupit, për shembull, të kafeneve në të cilat, gjatë kohës që e shkruaj këtë tekst, bëhen marrëveshje për korrupsionet: ta dinë qytetarët se në cilën bife vendoset për rastet e Ministrisë për Transport, të Kadastrës së Qytetit, të inspekcioneve ndërtimore komunale, etj. Mundet të bëhet edhe aplikim mobil, që të mos humbet kohë.
Andaj, ja paraprakisht një sfidë e re për pushtetin e ri: Hajde të shohim se kush ( dhe nëse, kur?) do të jetë prefekti i parë i arrestuar pas zgjedhjeve lokale për krim dhe korrupsion? Për Zaevin, së paku kjo problematikë e prefektëve është plotësisht e qartë, prandaj edhe ndoshta është vendi që edhe nga ky nivel lokal, të nis rilindja e mentalitetit tonë kundër korrupsionit. Nëse nuk fillojmë me ndryshimin e kësaj çështjeje, kot i kemi prefektët e ri, pasi që me të vjetrit, sidoqoftë, jemi mësuar.