Me rastin e 1 marsit, Ditës Ndërkombëtare të zero diskriminimit – Zero Discrimination Day, CIVIL Media bisedoi me Petrit Saraçinin nga CIVIL –Qendra për Liri, sipas të cilit, diskriminimi është i pranishëm ditë e më tepër në shoqërinë e Maqedonisë, ndërsa problemi më i madh është se nuk ndëshkohet.
“Për fat të keq, në vendin tonë diskriminimi është i gjithëpranishëm dhe përsëri, për fat të keq, me vite kalon pa u ndëshkuar dhe nuk adresohet përkatësisht nga institucionet. Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi është shndërruar në trup partiak i cili fare nuk merr masa për trajtimin e këtij problemi, ndërsa njerëzit e këtij Komisioni i shohim se si edhe vetë, në tubime publike nxisin ndarje dhe diskriminim. Për dallim nga më herët, me siguri se më i dukshëm është diskriminimi politik, ndërsa si më herët, te ne diskriminimi është ende i shpeshtë edhe në aspektin e përkatësisë etnike, përkatësisë së grupeve të margjinalizuara dhe kategoritë e rrezikuara sociale të qytetarëve. Do të përsëris, derisa sundon mosndëshkimi, diskriminimi në vendin tonë nuk do të zvogëlohet! Përkundrazi, do të rritet”, vlerëson Saraçini.
CIVIL Media bisedoi edhe me Aleksandra Filipova nga Forumi Rinor Arsimor në të cilin gjatë periudhës së kaluar kanë përgatitur dokument për politika publike që ka të bëjë me diskriminimin e universiteteve.
“Edhe pse ekzistojnë më tepër mekanizma për mbrojtje nga diskriminimi në arsimimin e lartë, Komisioni për ankesa studentore, Ombudsmani studentor dhe Parlamenti studentor, megjithatë, në aspekt të këtyre organeve, funksionimi i tyre transparent dhe mbrojtja e interesave të studentëve, është kontestues. Sa i përket Komisionit për ankesa studentore, në periudhën nga viti 2013 deri 2016, nuk ka dorëzuar asnjë ankesë për diskriminim të ndonjë anëtari të komunitetit akademik, ndërsa sa u përket dy organeve tjera pranë Universitetit Kirili dhe Metodi, të destinuara për përfaqësimin e interesave të të rinjve, analiza e MOF tregon kolizion mes punës së tyre dhe akteve të tyre të brendshme, si dhe akteve ligjore të Universitetit”, thotë Filipovska në bisedë për CIVIL Media.
Hulumtimi nga viti 2013 tregon se anëtarët e komunitetit akademik e njohin problemin, gjegjësisht 26% nga të anketuarit kanë njohur diskriminim në bazë gjinore, kur fakulteti ka zgjedhur person për profesor ose asistent. Madje 51, 5 % nga studentët e UKIM kanë vërejtur diskriminim në bazë të përkatësisë partiake, kur është zgjedhur profesor ose asistent, ndërsa 31,8% e kanë vërejtur këtë lloj të diskriminimit, por në bazë të përkatësisë etnike dhe të gjuhës.
Sa u përket paraqitjeve, ka numër minimal të ankesave të dorëzuara, gjegjësisht, deri te Komisioni për mbrojtje dhe parandalim nga diskriminimi janë dorëzuar vetëm dy ankesa për diskriminim në arsimin e lartë nda viti 2013 deri 2016, te Avokati i Popullit numri i ankesave të këtilla është i vogël, ndërsa raportet nuk i përmbajnë arsyet e plota për dorëzimin e ankesave. Këto janë të dhënat të cilat i tregon hulumtimi të cilin e realizoi MOF.
“Për këtë arsye ne vlerësojmë se është e domosdoshme të formohet Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi në korniza të universiteteve. Ky Komision do të ketë për detyrë të zbatojë hulumtime dhe t’i inspektojë gjendjet në arsimin e lartë në aspektin e diskriminimit, do të mund të vendosë dhe të punojë pas ankesave të dorëzuara, do të ketë detyrë të organizojë punëtori, trajnime dhe fushata për ngritjen e vetëdijes dhe diturisë së anëtarëve të komunitetit akademik për diskriminimin dhe për mekanizmat e mundshme për njohjen dhe mbrojtjen e saj.
Si organ i cili do të funksionojë në suaza të komunitetit akademik, dhe vetëm për nevojat e arsimit të lartë, do të mundet lehtë të adaptohet dhe të bëjë inspektim të situatës momentale dhe planit për avancim dhe të punohet mbi atë, gjë që paraqet potencial të madh për zgjidhjen e problemit”, thotë Filipovska, duke i prezantuar rekomandimet nga hulumtimi i realizuar.
Marija Tegovska