Dy muaj e gjysmë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 11 dhjetor 2016, Maqedonia është larg nga paralajmërimet se do të formohet Qeveri e re, e qëndrueshme, koalicionuese. As Presidenti Gjorgje Ivanov nuk ka ndërmend t’ia jep mandatin partisë së dytë pas VMRO-DPMNE (51) me numër më të madh deputetësh, as LSDM(49 mandate) mundet me siguri të thotë se ecin drejt formimit të Qeverisë me partitë nga blloku shqiptar. Platforma të cilën pas zgjedhjeve e miratuan partitë shqiptare të Maqedonisë, BDI (10), Besa(5) dhe Aleanca për Shqiptarët (3) e cila nuk ishte pjesë e marrëveshjes së Përzhinës dhe e aneksit të kësaj marrëveshjeje, as pjesë e kërkesave të Revolucionit të Larmë, ka arritur nivelin –“conditio sine qua non”.
Derisa nga BDI thonë se nuk heqin dorë nga Propozim –ligji për përdorimin e gjuhës shqipe, të dorëzuar si përgjigje ndaj ofertës së socialdemokratëve, duke theksuar se ligji nuk është pozitë e pikënisjes, por kusht pa të cilin nuk mundet edhe në kornizat e Kushtetutës, lideri i Lëvizjes për Reforma në PDSH, Ziadin Sela, si përfaqësues i Aleancës për Shqiptarët, paralajmëroi ndryshimin e Kushtetutës dhe formimin e trupit të posaçëm i cili do ta formojë propozim ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Nga Besa mbrëmë paralajmëruan seancë të udhëheqësisë, në të cilën duhej të sillet vendim për deklaratat e fundit të BDI-së dhe Aleancës, pas takimit të tyre të djeshëm.
Nga partitë e Shqiptarëve etnikë janë të vendosur se LSDM-së do t’ia japin nënshkrimet e duhura që ta fitojë mandatin. Por, theksojnë se kjo nuk është garanci që nënshkrimet nënkuptojnë mbështetje për formimin e Qeverisë.
Nga LSDM ende nuk ka informata zyrtare për rrjedhën e negociatave. Një pjesë nga mediat kanë shpallur se kërkesat e BDI-së për gjuhën janë të papranueshme për LSDM, për arsye se bëhet fjalë për “propozime të cilat, sipas vlerësimeve të LSDM-së, nuk janë realisht të nevojshme dhe në interesin e qytetarëve shqiptarë në Maqedoni dhe të cilat mund të shkaktojnë vetëm dëm në funksionimin e institucioneve të caktuara në Maqedoni”.
Lideri Zoran Zaev tha se bëhen negociata për kërkesa në kornizat e Kushtetutës. Nga LSDM janë të brengosur se prolongimi i negociatave është për shkak të harxhimit të mandatit të Prokurorisë Speciale Publike, i cili mbaron në gjysmën e parë të vitit.
Greva e të punësuarve në MPM është pasqyrë e gjendjes në mediat
Greva me kohë të pacaktuar e të punësuarve në gazetat ditore të Media Print Makedonija, në fakt është pasqyrë reale për gjendjen në sferën mediatike në Maqedoni. Gazetarët dhe të punësuarit tjerë të cilët vite me radhë kujdesen për përpunimin teknik, dizajnin, strategjinë e marketingut të gazetave “Utrinski vesnik”, “Dnevnik” dhe “Vest”, i kërkojnë dy rrogat e pa paguara. Nga menaxherët nuk kanë pranuar përgjigje, sepse me mbështetjen e Sindikatë së Pavarur të Gazetarëve të Maqedonisë, kanë sjellë vendim për një hap të tillë. Ndërkohë, MPM e ndryshoi strukturën e pronarëve, por të punësuarit nuk kanë fare informata as për këto risi. Ndërsa Prokuroria Speciale Publike ka “hyrë” për inspektim financiar në MPM.
Sfera e mediave akoma është e ndarë, por në agjendë janë emisione të karakterit debutues në të cilat analizohen floskulat nga individë-përfaqësues të jetës publike, me prefiksin- “luftë” dhe me ditirambet e VMRO-DPMNE-së dhe të liderit Nikolla Gruevski, si sinonime për Maqedonizmin nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër, puna e LSDM-së dhe e liderit Zoran Zaev në kontekstin e negociatave në relacionin LSDM –BDI.
Opinioni publik i cili po krijohet, është larg nga parimi themelor gazetaresk dhe parimeve për objektivitet, vërtetësi, saktësi dhe balancim në procesin e informimit.
Bashkësia Ndërkombëtare në pritje të Qeverisë së re të Maqedonisë
Ambasadori Amerikan, Xhes Bejli, gjatë javës së kaluar në një deklaratë për një televizion Maqedonas, tha se 61 deputetë do të vendosin se cilat parti do ta formojnë Qeverinë e re. Mirëpo, porositi se ajo duhet të ketë agjendë reformash për prioritet dhe të mos shkaktohet krizë e re. Cili do opsion që të zgjidhet, “të gjithë duhet të punojnë për afrimin e vendit deri te BE dhe NATO”, vlerëson Ambasadori Amerikan, i cili kërkoi vazhdimin e mandatit të PSP-së, por nuk e komentoi Platformën e Shqiptarëve etnikë.
Euro-Ambasadori Samuel Zhbogar deklaroi se është optimist, se liderët politikë në Maqedoni do ta gjejnë mënyrën e drejtë për formimin e Qeverisë, në mënyrë që BE të mundet të vazhdojë të punojë në realizimin e reformave të cilat i nevojiten vendit.
Qytetaret dhe qytetarët pa rrugëdalje
Në skajet e krizës politike, në jetën reale, qytetaret dhe qytetarët nuk munden ti realizojnë të drejtat e tyre themelore të njeriut. Frymojnë ajër të ndotur, shëndetësia po shkatërrohet – nuk punojnë ashensorët në disa spitale, harrohen paciente pas lindjes…, deputetë sulmohen fizikisht nëpër restorante, rritet numri i përballjeve fizike në ambient të hapur, nëpër qendra tregtare, komunikacioni hekurudhor është i ndalur, amvisëri të kyçura nga nxehja qendrore për shkak të faturave të papaguara bëjnë grevë…Nuk respektohet ligji, ndërsa ekspertët insistojnë se derisa nuk sundon drejtësia, nuk ka interes publik dhe nuk ka vullnet për debat, shteti do të fundoset në krim dhe korrupsion.
Monika Taleska