Të mërkurën (28 dhjetor) nga Parku i qytetit në Shkup, te fontana, do të fillojë marshin protestues, për ajër të pastër dhe fëmijë të shëndoshë, në organizim të eko-aktivistëve dhe qytetarëve. Aktivistët distancohen nga partitë politike dhe kërkojnë nga pushteti lokal dhe qendror realizim urgjent të 17 kërkesave.
Mes tyre, më urgjentet janë: vendosje e ditëve çift-tek për automjetet. Ndalesë për lëvizje të automjeteve pa katalizatorë për gazra. Transport urban falas gjatë tërë dimrit. Pajisje urgjente dhe ndarje falas e maskave me standarde të duhura për mbrojtje, me dimensione të duhura për të gjithë qytetarët, duke i përfshirë edhe fëmijët e Shkupit. Rritje e kontrollimeve të inspektimeve për mënyrën e ngrohjes për qytetarët. Sigurimin e ngrohjes falas për qytetarët të cilët ngrohen me djegie të gomave dhe materieve tjera dëmtuese. Kontrollime të pa paralajmëruara të oxhaqeve të kapaciteteve industriale, të cilat (dyshojmë se) ndotin. Ndalesë e përkohshme për punë të të gjitha kapaciteteve industriale, të cilat e ndotin ajrin.
“Ndotja e ajrit është më e madhja deri tani. Madje për 20 herë mbi normalen! Sëmundjet dhe mortaliteti, për shkak të ajrit të ndotur janë në rritje drastike. Më së tepërmi vuajnë fëmijët, të cilët janë në lëvizje të përditshme, duke shkuar në shkollë ose çerdhe, por edhe të gjithë qytetarët të cilët jetojnë dhe punojnë në Shkup. Pushtetet lokale dhe qendrore nuk ndërmarrin asgjë. Demonstrojnë moskujdes total për shëndetin dhe jetën e popullatës”, reagojnë eko aktivistët në shkresën deri te mediat.
Ata kërkojnë edhe formimin urgjent të shtabit të krizës në Qendrën për trajtim me kriza, i cili do ta përcjell gjendjen dhe do të propozojë dhe ndërmerr masa urgjente kundër ndotjes së ajrit. Gjithashtu, kërkojnë të ndalohen punët ndërtimore në Shkup, dhe pastrim më të shpeshtë të rrugëve nga pluhuri rrugor. Insistojnë edhe për kontrollime më të shpeshta policore për makinat të cilat bartin papastërti në gomat, posaçërisht të atyre që dalin nga hapësirat ndërtimore.
Për realizimin e të gjitha këtyre kërkesave, si dhe për kontrollime të rregullta – me qëllim të zbatimit të detyrave për pastrimin e hapësirave publike rreth vend-ndërtimeve, eko-aktivistët u japin afat deri më 3 janar pushtetit lokal dhe qendror. Ndërsa, për katër kërkesat tjera japin afat përfundimtar- 5 ditë pas konstituivit të përbërjes së re të Kuvendit. Eko – aktivistët janë me qëllimin që kërkesat t’ua dorëzojnë personalisht prefektit të Shkupit, dhe kryeministrit Emil Dimitriev.
Marshi protestues, sipas agjendës, nga fontana në Parkun e Qytetit, do të vazhdojë para ndërtesës së Qytetit të Shkupit, e prej aty nëpër “Ilindenska” do të mbarojë para Qeverisë.