CIVIL – Qendra për Liri në tri ditët e kaluara organizoi dy seminare në Shkup për fushën e organizimit dhe në Veles për 30 vëzhgues zgjedhorë afatgjatë, ashtu si edhe takim pune në Shkup për bashkëpunëtorët e CIVIL-it. Eksperti i madh për vëzhgime zgjedhore Dragan Zeliq nga organizata kroate GONG me një pjesë prej ekspertëve të CIVIL-it pjesëmarrësve ua qartësuan problemet për dhe rreth parregullsive zgjedhore.
Sot, mu para shkuarjes së Zeliqit për Kroaci, u mbajt trajnimi i fundit që kishte të bëjë me pjesëtarët e ekipit të CIVIL-it, që do të jetë përgjegjës për zbatimin e të gjitha aktiviteteve për ta vëzhguar procesin zgjedhor. Në këtë trajnim u fol për sfidat, aktivitetet dhe përgjegjësinë me të cilin po përballet CIVIL-i në procesin e vëzhgimit.
Trajnimi kryesor në të cilin morën pjesë 30 vëzhgues afatgjatë, ashtu si edhe ekipet mobile u mbajt përgjatë ditës së djeshme në Veles. Vëzhguesit afatgjatë të CIVIL-it morën shkathtësi të avancuara në vëzhgimin e procesit zgjedhor në disa nivele dhe në shumë aspekte, duke e përfshirë edhe ditën e zgjedhjeve. Ata qenë ndarë nëpër gjithë vendin, gjegjësisht në 14 ekipe rajonale dhe do të zbatojnë vëzhgim gjithëpërfshirës të gjendjeve në terren.
Zeliqi foli për domethënien e zbatimit të zgjedhjeve të drejta e demokratike dhe rolin e paçmuar të vëzhguesve në këtë proes. Siç potencoi ai, “vëzhguesit janë sytë dhe veshët e CIVIL-it në terren dhe fotografia e realtë e shkeljes së përditshme të të drejtave zgjedhore”.
Përfaqësuesi i CIVIL-it, Xhabir Deralla, foli për përvojat e deritanishme të CIVIL-it, po edhe për sfidën me të cilën do të ndeshen në periudhën para nesh.
Trajnimi gjithëditor kaloi në atmosferë produktive e pozitive. Vëzhguesit afatgjatë i morën informacionet e përgjigjet e duhura për të gjitha pyetjet e dilemat që i kishin në lidhje me vëzhgimin zgjedhor dhe aktivitetet e tyre në periudhën e ardhshme. Patën mundësi, gjithashtu, të njiheshin ndërmjet vete e t’i shkëmbejnë përvojat e veta – të partë si vëzhgues të cikleve të mëparshme zgjedhore që i ka realizuar CIVIL-i për t’u ndihmuar të dytëve, të cilët për herë të parë do të jenë pjesë e vëzhgimit të zgjedhjeve.
Trajnimit në Veles i parapriu një trajnim i shkurtër në Shkup, të cilën Zeliqi e përgatiti për ekipin e CIVIL-it, si përgatitje për atë që do të prezentohej në Veles. Pastaj, me shkëmbim mendimesh u përgatitën materialet dhe agjenda sipas së cilës u zhvilluan aktivitetet në Veles.
Kjo vizitë pune triditore e Zeliqit në Maqedoni është pjesë e bashkëpunimit partneror të CIVIL-it me GONG-un në projektet e vëzhgimit zgjedhor në Republikën e Maqedonisë.
М.Т.