Ngandonjëherë, kur je në bela gjer në fyt, përkeqësimi i mëtejshëm i situatës, për shkak të vazhdimësisë shumëvjeçare, të duket krejtësisht normal. Çështje shprehie. Përderisa këtyre ditëve kishim mundësi të shohim se si në Islandë për një skandal korrupsioni u ngrit populli dhe e detyroi brenda disa ditëve kryeministrin të japë dorëheqje, këtu tek ne u vodhën qindra miliona dhe u bënë qindra krime, e me vite askush nuk merr përgjegjësi. Secili me ‘shprehitë’ e tija.
Pa u përmbushur kushtet për zgjedhje të lira dhe pikat e Marrëveshjes së Përzhinos, pushteti në mënyrë arrogante dhe të njëanshme, siç e bëri shprehi gjatë këtyre viteve, përmes zgjedhjeve të pandershme më 5 qershor tenton të shpëtojë veten nga agonia njëvjeçare e tij që filloi me publikimin e bombave nga opozita, dhe të rikrijojë veten edhe njëherë. Çobani dhe naçallnikët vlerësojnë se me këtë ‘agoni’ kanë shpaguar agoninë shumëvjeçare të qindra mijëra qytetarëve të Maqedonisë.
PSP-ja punon, por gjyqësia është në duart e tefter-gjykatësve. Luhej cirk në Gjykatën Kushtetuese me lejimin e faljes së kriminelëve zgjedhorë, luhej cirk me Kushtetutën kur shpërbëhej Parlamenti. E prapë s’u bë qameti. Nuk lëvizi gjë as kur krisi në BDI dhe ndërroi komplet ministrat Ali Ahmeti. Nuk u bë e madhe as kur KSHZ-ja e shndërroi në fantazmë dhe e tërhoqi listën e publikuar problematike me votuesit-fantazma, e cila dëshmoi për anomalitë e mëdha të Listës së Votuesve përmes mijëra rasteve të paraqitura nga qytetaret e qytetarët në KSHZ, te CIVIL dhe organizatat tjera që merren me vëzhgimin e zgjedhjeve, te mediat. Për thyerjet e përditshme të dinjitetit të njerëzve, gjuhës së urrejtjes dhe propagandës ashiqare të mediave të pushtetit, askush as që flet më. Mjafton që opozita po duket nga pak në këto media, për të shpallur “ambient demokratik” në media, pse jo?
Si do të venë punët më tutje? Më falni që nuk do të jem optimist siç nuk kam qenë këtyre ditëve. Më duket se kompromis nuk do të ketë. Ka gjasa shumë të mëdha që të kemi zgjedhje të cunguara e të bojkotuara më 5 qershor dhe thellim të mëtejshëm të krizës.
Ende ekziston mundësia për të arritur marrëveshje, por kjo do të varet më së shumti prej angazhimit dhe nivelit të vendosmërisë të vetë qytetarëve, dhe presionit publik që do t’u bëhet pushtetmbajtësve të dalldisur. Poqë se duket një presion i tillë i shoqërisë, përmes protestave dhe formave të ndryshme të lejuara demokratike për konfrontim të ashpër me pushtetin, atëherë edhe për faktorin ndërkombëtar, i cili po ashtu është kyç për kanalizimin e krizës drejt daljes, do të jetë më e arsyeshme të angazhohet për të bindur, pikë së pari pushtetin, që të zbatojë marrëveshjen politike, të ndalë kapjen e institucioneve dhe lirojë shoqërinë, ndërsa shtyrja e zgjedhjeve të shfrytëzohet për reforma të mëtejshme të vërteta, në media, në institucione, në gjyqësi, në kodin zgjedhor dhe ligje tjera. Por, duke parë tani për tani baraspeshën në terren, por edhe mënyrën se si pushteti shfrytëzon krizën globale të refugjatëve, lobon me paratë e qytetarëve në arenë ndërkombëtare dhe përdor edhe mënyra tjera për të krijuar imazh ‘konstruktiv’ ndërkombëtar, jam skeptik se ky veprim i ndërkombëtarëve do të realizohet, pa pasur presion real të qytetarëve nga brenda.
Sidoqoftë, edhe po mos u arrit momentumi për ndryshime së shpejti, pas zgjedhjeve (të bojkotuara) më 5 qershor dhe thellimit të paevitueshëm të krizës politike, zgjedhje do të kemi përsëri vitin tjetër. Ato lokale, që mund të shndërrohen në zgjedhje të përgjithshme, ngase kuvendi i njëmendësisë vështirë se do të mbijetojë gjatë kohë. Mirëpo, deri atëherë, do të duhet të ndryshojnë shumë gjëra.
Se si do të vejë ky proces do të varet shumë edhe nga puna e Prokurorisë Speciale dhe gjyqësorit lidhur me rastet që do të procedohen nga bisedimet e përgjuara, dhe trysnive eventuale të pushtetit në këtë drejtim. Mënyra se si veproi gjykata lidhur me lirimin nga paraburgimi i disa personave kyç në ish-Qeverinë e Gruevskit, nuk më jep të drejtë të jem shumë optimist as në këtë drejtim. Për më tepër, nuk do të jetë i papritur as anulimi i mundshëm i PSP-së përmes Gjykatës Kushtetuese para zgjedhjeve, ose prej Parlamentit të VMRO-së dhe BDI-së, pas tyre. Po që se nuk arrijmë ta mbrojmë këtë institucion, i cili tani për tani paraqet dritën e vetme në tunel, ndoshta sjellja e pushtetit me PSP-në do të jetë një momentum i ri që do të zgjojë qytetarët dhe do t’u tregojë se me këtë elitë të kriminalizuar, dialog mund të bëhet vetëm në seancë gjyqësore, por si duket në kohëra tjera, pasi që të lirohen institucionet.
Për rrugëdaljen e vetme nga kriza kemi folur që moti. Bashkim total i të gjitha forcave liridashëse në Maqedoni pavarësisht përkatësisë, dhe rrëzimi i pushtetit të ‘naçallnikëve’. Pastaj, të gjithë së bashku të punojnë në reforma rrënjësore të sistemit bazuar në barabarësi të plotë të të gjithë qytetarëve, dhe çlirim të institucioneve dhe shoqërisë. Kriminelët të dënohen, paratë të kthehen, e kur të krijohen kushtet për zgjedhje të vërteta të lira, opsionet le të maten para qytetarëve, dhe le të fitojnë më të mirët. Teori e bukur kjo, e cila në praktikë çdoherë ngec, ngase të gjithë që duan të shohin realizimin nuk bashkohen por veprojnë me ‘strategji’ të ndryshme, kryesisht dështake.
Pra, deri sa të ndodhë ai bashkim karshi koalicionit multietnik të krimit, na presin ditë akoma më të turbullta, dhe thellim i krizës para daljes prej saj. E dalja? Ajo do të vijë, atëherë kur do ta dëshirojnë dhe kur për të do të punojnë shumë më tepër vetë qytetarët e Maqedonisë. Duhet kuptuar më në fund, se atyre në Islandë punët nuk ua zgjodhi as Bejli, as Oravi, as Brukseli as Uashingtoni. Islandezët i zgjedhin punët vetë. Por, ata nuk janë as indianë, e as nuk lejojnë që t’i udhëheqin çobanë. E çfarë jemi ne, do të shohim së shpejti.