Raportimi profesional, objektiv, i balancuar dhe i paanshëm, për shumicën e mediave të vendit paraqet vetëm përmbledhje parimesh, të cilave u përmbahen vetëm në letër. Edhe pse një muaj më parë, më shumë se 90 media nënshkruan Kartën për Raportimin Etik për Zgjedhjet, vazhdimisht janë duke arritur ankesa në Këshillin për Etikë në Media, për raportimin e mediave të caktuara.
Kjo u theksua si problem në konferencën e sotme për shtyp të Këshillit të Etikës në Media. Tendencat në raportimin të mediave, në korelacion me analizën e Institutit të Studimeve të Komunikimit, sugjerojnë se një pjesë e mediave dhe gazetarë të caktuar vazhdojnë të vihen në shërbim të qendrave të fuqisë politike apo qendrave të tjera fuqisë, duke hedhur poshtë rregullat e gazetarisë.
Sipas drejtoreshës së Këshillit, Marina Tuneva, vazhdojnë “trendet e favorizimit dhe demonizimit të subjekteve politike, informimi propagandistik, manipulimet editoriale dhe vënia e deklaratave të vjetra në ca kontekste krejtësisht të reja.”
Nga 20 ankesat që arritën në adresën e Këshillit muajin e kaluar, në “11 raste bëhet fjalë për informim të pasaktë, raportim të padrejtë, cënim të privatësisë dhe shpifje, ndërsa në 6 raste për raportim të padrejtë dhe të pasaktë”, tha Mirçe Adamcevski, kryetar i Komisionit për Ankesa pranë KEMM.
Deri te Këshilli nuk janë dërguar ankesa për gjuhë të urrejtjes, por shembulli i fundit, në të cilin Agjencia për Media akuzon TV Kanal 5 për përhapjen e urrejtjes dhe diskriminimit ndaj komunitetit LGBT, tregon se në media të caktuara në vend mund të gjeni rregullisht raste të raportimit që përmbajnë gjuhë të urrejtjes.
Sipas Këshillit për Etikë, vetërregullimi i medias vazhdon të jetë i një rëndësie parësore, për shkak se “nuk ka ligj më të lartë në gazetari se sa të tregohet e vërteta dhe të raportohet në mënyrë të balancuar”.