8 Marsi është festa e gruas dhe luftës së saj për barazi në botën të cilën e udhëheqin burrat, festa për nevojën për pavarësim dhe vendime të barabarta për mirëqenien e tyre në aspekt ekonomik, politik dhe ekzistencial, e luftës që po zhvillohet për më tepër se një shekull.
Më 8 mars 1913 gratë në mbarë botën kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të protestuar kundër luftës, gjë që mbahet mend si fillimi i ndryshimit të parë revolucionar që do të shënojë periudhën midis dy luftërave botërore. Lufta për të drejtat njerëzore të grave ende nuk është fituar, të paktën në Maqedoni. Dhe kështu do të jetë, për sa kohë që respekti për gratë shprehet një herë në vit dhe shpërblehet me të mira materiale.
Gratë në Maqedoni, në institucione, në vendin e punës, në familje, në shoqëri në përgjithësi … ende luftojnë për dinjitetin e tyre, të drejtat e tyre të përfaqësimit në të gjitha sferat e shoqërisë, për trupin dhe mendjen e tyre dhe në shumë raste, për fat të keq, edhe për jetën e tyre.
Kjo do të thotë se gruaja në Maqedoni, në shumë raste, lufton kundër mobingut në vendin e punës, kundër shfrytëzimit dhe shtypjes seksuale, kundër dhunës në familje, kundër nënshtrimit dhe jetës kokëulur, kundër manipulimit të fesë, kundër vlerave të rrejshme dhe traditës, ndërsa PËR – marrjen e vendimeve të pavarura për pasardhësit e tyre.
Para së gjithash, gruaja është ajo që duhet të angazhohet për barazi gjinore, barazinë dhe respektimin e të drejtave dhe lirive universale në mënyrë të barabartë për të gjitha qytetaret dhe qytetarët. Fakti që një grua është subjekt i stereotipeve dhe paragjykimeve të cilat në shumë raste, sidomos në këtë ditë, 8 Marsi, e vënë atë në pozitën e subjektit dekorativ, është alarmant për publikun dhe për institucionet.
Duke pasur parasysh situatën politike në Maqedoni si dhe trajtimin e tri grave – heroinave, siç u quajtën në disa mediume, të cilat janë duke u përpjekur për të luftuar për drejtësi dhe ligj dhe për t’i rivendosur institucionet në shërbim të qytetar(e/ë)ve, mund të konkludohet se lufta e grave jo vetëm që është e mundimshme, por do të jetë e gjatë dhe e përndjekur nga presione, manipulime dhe rishqyrtime të rolit dhe rëndësisë së gruas në shoqëri – si një nënë, bashkëshorte, partnere, punëtore, mike dhe para se gjithash dhe mbi të gjitha, si një njeri.
Ditën kur burrat do të kuptojnë se pas të drejtës së tyre për pushtet dhe dominim qëndron një grua e suksesshme, se rritja e libidos së tyre përcaktohet nga dëshira dhe nevoja e gruas për të qenë e dashuruar si dhe që gruaja vepron – përderisa burri është ende duke menduar, do ta kuptojnë se gruaja, për nga natyra e saj, është ajo që duhet sunduar botën.
Me urimin për 8 Mars, të gjitha grave në Maqedoni dhe në botë u dëshiroj – lufta e tyre të jetë kundrejt mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të tyre, dinjitetit, barazisë dhe njohjes së rolit të gruas në shoqëri.
Dhe sugjeroj që përderisa burrat valëviten në grindje e në luftë, ne duhet të jemi ndërtuese të paqes dhe lirisë!
Përktheu nga maqedonishtja: Arsim Jonuzi