Dje, skena politike e shqiptarëve në Maqedoni zyrtarisht u bë më e pasur për një entitet. Uniteti, në kundërshtim me titullin që mban, është një parti që në fakt u lind me ndarjen e BDI-së në pushtet. Drejtues i saj është ish-udhëheqësi ushtarak i UÇK-së Gëzim Ostreni, ndërsa pjesë e strukturës së kësaj partie të re janë edhe ish-komandanti i UÇK-së dhe deputet aktual Zulfi Adili, si dhe anëtarë të tjerë të shquar të ish-formacionit ushtarak, nga i cili pas konfliktit të vitit 2001 lindi Bashkimi Demokratik për Integrim, parti e cila pakontestueshëm sundon popullsinë shqiptare në Maqedoni dhe fiton të gjitha zgjedhjet që nga viti 2002 e këndej.
Siç tha paradokohe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, largimi i ish-bashkëpunëtorit të tij të parë nga partia ia paskësh thyer zemrën. Me sa duket, mu për këtë arsye, këtyre ditëve, kur shoku i tij i parë nga 2001-shi formon një parti të re, bashëpartiakët e tij janë duke u përpjekur për t’ia shëruar. Me ngjarje të llojllojshme dhe marifete të ndryshme.
Interesant, formimi i partisë së re këtyre ditëve po”ndiqet” me aktivitet paralel intensiv nga BDI. Për shembull, mu në ditën e mbajtjes së Kongresit formues të Unitetit, BDI në Çair organizoi hapjen e selisë partiake, me kremtim, gjurullti dhe duke bllokuar tërë lagjen. Në unazën në Fushë Topahanë, me ngut, të dielën dhe pa pompën e “zakonshme”, në një postament u vendos monument i shqiponjës dykrenare. Shefi i shtabit të Ali Ahmetit më 13 shkurt në Facebook “solemnisht” shënoi ngjarjet e Kalasë dhe përkujtoi për “heroizmin” e tij, që menjëherë më pas në profilin e tij në rrjetin social të hedhë shigjeta helmuese në adresën e partisë së sapoformuar.
Përse nervozizëm i tillë në BDI nga formimi i Unitetit? Nuk besoj se arsyeja për këtë qëndron në frikën prej fuqisë së madhe që ka kjo parti e re. Hulumtimet e disponimit të votuesve tregojnë se te shqiptarët, rajtingu i BDI-së, edhe pse në rënie, është ende më i lartë në krahasim me subjektet e tjera, që në kombinim me fragmentimin aktual në opozitë, e vë partinë në pushtet në një pozitë relativisht të rehatshme.
Por, përkundër kësaj, nuk duhet të harrojmë se formimi i Unitetit është ndarja e parë serioze brenda partisë shqiptare në pushtet. Për më tepër, nuk flasim për çfarëdo lloj përçarjeje, por për largim nga BDI të liderit më të lartë ushtarak të UÇK-së, që është themeli i kësaj partie, si dhe të figurave të tjera të shquara të kësaj strukture, që për BDI-në do të thotë humbje e oreolit patriotik, oreolit të fitimtarit ushtarak. Në kombinim me “rezultatet” e qeverisjes së deritanishme, ku shitja e patriotizmit u bë dhe mbetet i vetmi mjet i partisë në pushtet për mashtrim të votuesve që dita-ditës janë më të varfër dhe më të mllefosur, marrja e këtij instrumenti prej duarve të BDI-së paraqet kërcënimin më të madh për të.
Andaj aq shumë nervozizëm në BDI-në “e madhe” nga Uniteti “i vogël”. Dhe mu për këtë shkak, në ditët në vijim, kemi për të parë sulme të ashpra në këto relacione. Sepse, me të vërtetë, Ali Ahmetit dhe shokëve të tij u dhemb zemra e lënduar, por akoma më shumë u dhemb dhe më i çmuar për ta është – kolltuku. E ai po lëkundet, çdo ditë e më tepër.