Në paraqitjen në konferencës së sotme për shtyp, në të cilën ishte zbardhur lënda e parë e Prokurorisë Publike Speciale i quajtur “Titanik” për kriminalizim të procesit zgjedhor për të mbetur në pushtet, prokurorja Katica Janeva foli edhe për shtypjet ndaj të cilave është i ekspozuar ekipi i saj. Në fjalimin drejtuar opinionit publik maqedonas, ajo, mes tjerash, tha:
Qytetarë të Repubikës së Maqedonisë!
Ligji për Prokurinë Publike Speciale më detyron t’ju informoj për përparimin e punës të ekipit të prokurorisë të cilin e udhëheq. Ju rregullisht do të informoheni për rrjedhën e hetimit dhe përndjekjes për veprat penale që dalin nga përmbajtja e ndjekjes së paligjshme të komunikimeve (neni 8.).
Përmes deputetve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, ju vendosët të formohet Prokuroria Publike Speciale dhe në krye të saj të jem unë. Nuk ka nder më të madh e obligim më të madh në kohën më të vështirë për Republikën e Maqedonisë që prej mëvetësimit të saj si shtet i pavarur.
Drejtësia do të fitojë, përkundër vështirësive dhe kërcënimeve që vijnë nga disa parti politike dhe kallëzime penale të konstruuara kundër meje e bashkëpunëtorëve të mi.
Po ndihem e lirë dhe e fortë, sepse në anën time janë Kushtetuta, Ligjet dhe përkrahja juaj. Edhe nëse do të heshtnin të gjithë, unë nuk do të hesht.
Të gjithë më nxisin edhe unë të jem e guximshme dhe të qëndroj drejt para stuhive e erërave që po kundërshtojnë Prokurorinë Publike Speciale që prej fillimit të punës së saj.
Po më inkurajon edhe përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare. Përkrahja është dëshmi se beteja jonë nuk është vetëm jona, po është betejë e gjithë botës demokratike.
Vallë, a mundet të jetë ndokush gjakftohtë kur e lexon “Raportin e Pribesë” të majit të vitit 2015, veçanërisht pjesës ku flitet për shtypjen dhe mosbesimin në Prokurorinë Publike dhe në gjyqësi?
Përkrahje po më vjen edhe nga profesionistët juridikë, nga gjykatës, prokurorë e avokatë të dalluar.
Ekipi im është i hapur për bashkëpunim edhe me shkencën juridike, veçanërisht me autoritete nga fusha e së drejtës gjyqësore dhe së drejtës kushtetuese. Edhe shkenca juridike ka çka të mësojë prej Prokurorisë Publike Speciale, në veçanti kur është në pyetje kufiri mes privatësisë e interesit publik dhe marrëdhëniet reciproke.
Ekipi i PPS-së tashmë ka ardhur deri te rezultatet konkrete të cilat duhet t’i dijë opinioni më i gjerë publik. Ajo që është bërë në disa muajt e fundit tregon se po rrjedh procesi i baraspeshimit të detyrimeve etike e procedurale të përcaktuara me ligj dhe interesit të përgjithshëm, si e mira më e lartë popullore në Republikën e Maqedonisë.
Qytetarë të Republikës së Maqedonisë,
Ju njoftoj se Prokuroria Publike Speciale po nis procedura për dhjetëra vepra penale të fushës së zgjedhjeve dhe votimit, lirive dhe të drejtave të njeriut e qytetarit, sigurisë së përgjithshme e pronës, ashtu si edhe vepra penale kundër detyrave zyrtare e shtetit.
Në këtë fazë dominojnë veprat penale kundër zgjedhjeve e votimit, sepse konsiderojmë se është e rëndësishme të kihen parasysh të gjitha mënyrat me të cilat është vepruar në zgjedhje, me qëllim që – në të ardhmen të parandalohen keqpërdorim dhe vepra të tjera penale.
Që Prokuroria Publike Speciale të mundë në mënyrë të suksesshme dhe në kohë t’i kryejë detyrat e shtruara, të nevojshme janë masat vijuese:
Së pari, me procedurë urgjente të plotësohet Ligji për Dëshmitarë të Mbrojtur nga aspekti i nevojave të PPS-së.
Së dyti, proceset gjyqësore para gjykatave të rregullta nga kompetenca e PPS-së t’i dorëzohen PPS-së pa rezistencë dhe vonime. Çdo lloj rezistence do të shënohet në Raportin e PPS-së që përgatitet në gjashtë muaj dhe që i dorëzohet në shqyrtim Kuvendit të Republikës së Maqedonisë;
Së treti, Këshilli i Prokurorëve Publikë i Republikës së Maqedonisë t’i përmbahet rreptësisht rregullativës ligjore në fuqi dhe në tërësi ta respektojë autonominë e PPS-së.
Obstruksioni do të vazhdojë, por e siguroj opinionin publik se nuk do të ketë efekt negativ mbi punën e PPS-së.”
Përktheu nga maqedonishtja: Arsim Jonuzi