Kategoritë

BDI Filozofë të par(e)alizuar për kryetar komune!

Kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim për komunën e Çairit, Visar Ganiu, në tubimin e djeshëm në Shkup, para të pranishmëve tha se banorët e Çairit meritojnë kryetar që lind nga radhët e tyre, e jo politikan të cilët do të merren me politika të mëdha.

“Do të bëj gjithçka që programi e ashtuquajtur “Kontratë” të realizohet në tërësi”, theksoi Ganiu, duke shtuar se Çairit nuk i duhen funksionar partiak të cilët kanë ambicie për përfitime personale.

“Banorët e Çairit nuk duan kryetar sikurse oponenti im i cili flet për “Enverizëm” dhe “Titizëm”, banorët duan një menaxher i cili do t’i realizoj projektet. Atyre u duhet një njeri që është i afërt më popullin i cili do t’i zgjidh problemet e tyre. Çairit nuk i duhet filozofë të pa realizuar për kryetar komune”, tha Ganiu, kandidat për kryetar komune nga BDI, duke aluduar në kundër kandidatin e tij nga Lëvizja Besa, Zeqirija Ibrahimi.

 

Pas deklaratës së Ganiut, u krijua një rrëmujë dhe debat në rrjetet sociale se a e quajti kundër kandidatin e tij Ibrahimin –  “filozof i parealizur” apo “filozof i paralizuar” Në profilin e tij në Fejsbuk Ganiu e intervenoi duke e potencuar “filozof i (pa) realizuar”. Por, mbetet dilema se për çfarë arsye ajo fjalë është përdorur. A ka dashur që me ose pa qëllim të diskreditoj kundërshtarin e tij? Ne do t’ua lëmë që qytetarët dhe qytetaret të vendosin.

 

Për Ganiun fjalimi i djeshëm nuk është “gabimi” i parë, ai para disa ditëve në një intervistë me një gazetare nga Kosova, Jeta Xharra, tha se nuk e njeh Beqir Asanin, krahun e djathtë të Izet Mexhiti, ish kryetari i komunës së Çairit. Pas asaj deklarate, qytetarët në rrjete sociale publikuan fotografi të përbashkëta të Ganiut dhe Asanit, ku shihet qartë që mirë njihen dhe se Ganiu ka gënjyer. Megjithatë, parashtrohet pyetja – përse Ganiu dëshiroj të fsheh kinse nuk e njeh Asanin? Është mëkat nëse e njeh Asanin, apo…? Krijohet përshtypje se askush nuk dëshiron të “luaj” me Asanin…

Lideri i Bashkimit demokratik për integrim, Ali Ahmeti, në tubimin e djeshëm të mbajtur tek Sheshi “Skenderbeu” në Shkup, tha se Ganiu ka përkrahje të pa-rezervë dhe se duhet të fitoj që të vazhdoj misionin dhe të krijojë vlera.

Më 15 tetor, njeriu i parë i Çairit do të jetë Visar Ganiu, ndërsa me fitoren e tij do të fitojë i gjithë Shkupi i vjetër, do të fitojnë edhe ata të cilët nuk do të votojnë për atë, theksoj Ahmeti.

Pas zgjedhjeve, Çarshia e vjetër e Shkupit do të ketë një epokë të re, pasi që deri tani jeta në Çarshi disi ishte e harruar. Vallë do të ketë jetë më të mirë për të gjithë me ardhjen e epokës së re?

Dehran Muratov