Kategoritë

INCIDENT Hollësira të reja jozyrtare për incidentin e armatosur në Kërçovë

Bartësi i listës së kandidatëve të pavarur për Kërçovë Alit Abazi, u sulmua me armë zjarri në Kërçovë, mbrëmë rreth orës 18:30, siç lajmëroi ekipi vëzhgues i Civilit menjëherë pas incidentit mbrëmë. Prokurori Publik Ahmed Ahmedi për CIVIL Media tha se hetimet vazhdojnë dhe se është herët të flitet për motivet. I dyshuari është në paraburgim. Dy të lënduarit mbi të cilët është shtënë me armë zjarri pas shpine, janë jashtë rrezikut jetësor, ndërsa kalimtari i rastit, përndryshe gazetar, i cili është lënduar gjatë të shtënave, është lëshuar në mjekim shtëpiak.

Burime mirë të informuara kanë ndarë disa të dhëna jozyrtare në lidhje me këtë incident të armatosur. Abazi ka qenë urgjentisht i dërguar në intervenim kirurgjik në Shkup, në operim, i cili sipas të gjitha gjasave ka zgjatur deri në orët e mëngjesit.  Sipas burimeve të CIVIL Media, fakti që Abazi është bartës i  listës së kandidatëve të pavarur, është i rastësishëm, ndërsa sulmi me armë nuk ka prapavijë politike. Bëhet fjalë për, sipas burimeve, marrëdhënie pronësie-ligjore, fakt të cilin duhet ta vërtetojë ose mohojë hetimi.

Sulmuesi, pas tentimit për vrasje, ka shkuar në lokalin “Romansa” dhe ka porositur kafe. Pastaj ka ardhur policia, njëri nga policët e ka goditur me grusht dhe e ka pushtuar, dhe më pas sulmuesi është arrestuar, siç tregojnë burimet jozyrtare.

Kjo përleshje mes Abazit dhe sulmuesit të tij, sipas tregimeve të burimit jozyrtar të CIVIL Media, zgjat disa vite. Para disa vitesh, sulmuesi i njëjtë ka tentuar t’ia mare jetën Abazit, mirëpo në atë sulm, gjithashtu me armë zjarri, ka pësuar një person tjetër. Sulmuesi ka qenë i dënuar me burg, nga i cili është liruar para ca kohe. Ka vendosur ta kryejë “punën” e nisur para disa vitesh.

Mirëpo, deri në lajmërimin e të dhënave zyrtare për këtë incident të armatosur, e gjithë kjo mbetet në sferën e spekulimeve.

Xh.D.