BE-ja të shndërrojë raportin e Priebes dhe Prioritetet urgjente për reforma në plan të veprimit për “sundimin e ligjit”, si një qasje të re për hapjen e hershme të kapitujve 23 dhe 24 të negociatave për anëtarësim të Maqedonisë, të lidhur me gjyqësorin, të drejtat themelore të njeriut, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, ndërsa mekanizmat e zgjerimit të BE-së të vendosen në funksion të presionit mbi vendet – kandidate, të cilët shkelin sundimin e ligjit. Këto janë rekomandimet kryesore të dokumentit të politikave që u prezantua sot nga Qendra Maqedonase për Arsim Evropian (QMAE) në tryezën rrumbullake të mbajtur në Shkup, ku përveç përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe mediave, morën pjesë edhe ish-ambasadori i BE-së Ervan Fuere, ish-ndërmjetësuesi në negociatat politike në vend, Peter Vanhaute, si dhe gazetari dhe ish-nënkryetar i parlamentit belg, Lode Vanost.
Vanhaute, duke shprehur pikëpamjen e tij mbi gjendjen aktuale dhe hapat në të ardhmen, vuri në dukje se pjesëmarrja e qytetarëve dhe shoqërisë civile është e nevojshme për të rikrijuar balancën e forcave, pasi që, sipas tij, në negociatat ka një palë të fuqishme, dhe tre shumë më të dobëta. “Zgjedhjet e 5 qershorit janë një ëndërr e largët”, kategorikisht poentoi Vanhaute, duke shtuar se shoqëria civile duhet të marrë vendin e saj në tryezën ku vendoset fati i vendit.
Kritika të hapura për qasjen e BE-së ndaj Maqedonisë adresoi ish-ambasadori i Unionit në vend. “Reagimet e vakëta të BE-së krijuan një ndjenjë të mosndëshkimit, dhe kanë zvogëluar ndikimin e BE-së”, theksoi Fuere, duke shtuar se BE-ja nuk mund të lejojë më diskutime të tilla si “bluarje mulliri” dhe se zgjidhja dhe negociatat nuk duhet të zhvillohen në ndonjë dhomë të prapme diku jashtë vendit, por në Maqedoni, që të ketë më shumë transparencë dhe përfshirje më të madhe të qytetarëve.
Gazetari belg dhe ish-deputet, Vanost, tha se duhet punuar edhe në njohjen e publikut evropian me problemet me të cilat përballet Maqedonia, e cila nuk është aspak lartë në agjendën e prioriteteve të vendeve – anëtare të BE. Sipas tij, ajo që po ndodh në Maqedoni nuk është e njohur për qytetarët e shumë vendeve evropiane, dhe se bashkëpunimi me mediat me reputacion dhe presioni publik në këto vende drejt qeverive e tyre mund të sjellë ndryshim në qasjen ndaj Maqedonisë.
Përveç autorëve të tekstit të dokumentit, Bojan Mariçiq dhe Andreja Stojkovski nga QMAE, të cilët prezantuan rekomandimet dhe gjetjet e dokumentit, në tryezë foli edhe drejtoresha ekzekutive e Fondacionit Shoqëria e Hapur – Maqedoni, Fani Karanfilova – Panovska, e cila argumentoi kërkesat e dala nga protestat që janë duke u zhvilluar për javën e tretë në rrugët e më tepër qyteteve në Maqedoni.